Policia arreston 22 shoferë brenda 24 orëve për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit

Policia ka arrestuar 22 shoferë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit, të privuar nga liria për shkak të shkeljeve të rënda të rregullave të komunikacionit. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se arrestimet janë kryer kryesisht për drejtim automjeti pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit.

Nga numri total i të arrestuarve, 13 persona u ndaluan sepse drejtonin automjetin pa poseduar patentë shoferi. Prej tyre, katër raste u regjistruan në Shkup, katër në Manastir, dy në Vinicë dhe nga një në Kumanovë, Kavadar dhe Tetovë. Njëri prej këtyre shoferëve, përveç mungesës së patentës, ishte edhe nën ndikimin e alkoolit.

Gjithashtu, tetë shoferë të tjerë u arrestuan pasi drejtonin automjetin nën ndikimin e alkoolit. Dy prej këtyre rasteve u shënuan në Shkup dhe dy në Kriva Pallankë, ndërsa nga një rast u regjistrua në Veles, Kumanovë, Shtip dhe Strumicë. Përveç këtyre, një person në Shkup u arrestua për drejtim automjeti të paregjistruar.

Pas grumbullimit të plotë të dokumentacionit, ndaj të gjithë të arrestuarve do të ngrihen kallëzime penale përkatëse.

MPB-ja ripërsëriti thirrjen drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat, duke mos drejtuar automjetin pa patentë shoferi, kur kanë masë ndalimi ose nën ndikimin e alkoolit. “Të gjithë bashkërisht të kontribuojmë për një komunikacion më të sigurt në rrugë,” theksojnë nga Ministria.