Organizatat joqeveritare (OJQ) që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, kanë vlerësuar se procedura është zhvilluar në mënyrë transparente, objektive dhe të barabartë për të gjithë kandidatët. Ato theksojnë se nuk ekzistojnë pengesa kushtetuese apo ligjore që ushtruesja e detyrës së presidentit të dekretojë kandidatin e nominuar për këtë pozitë, raporton Ekonomia Online.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e vlerësoi pozitivisht mbarëvajtjen e procesit të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Ai theksoi se organizata e ka monitoruar procesin dhe ka vënë re një qasje tejet transparente dhe të barabartë, pa u konstatuar asnjë element favorizimi apo përshtatjeje të pyetjeve gjatë intervistimit ndaj ndonjë kandidati. Sipas Bugaqkut, procedura e votimit të kandidatit u zhvillua në përputhje me rregullat kushtetuese dhe rregullativat ligjore të KPK-së lidhur me formalizimin e procedurës dhe propozimit.

“Tani normalisht i takon presidentit të shtetit, ose ushtruesit të detyrës së presidentit, që të nominojë dhe të dekretojë kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit,” tha Bugaqku. Ai shtoi se KDI bën thirrje që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe Republika e Kosovës më në fund të ketë Kryeprokurorin e Shtetit, pasi kjo pozitë ka një kohë të gjatë që mbetet me ushtrues detyre.

I pyetur nëse ushtruesja e detyrës së presidentit ka kufizime në dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Bugaqku sqaroi se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë bërë të qartë këtë çështje. “Për shkak të administrimit të procesit të drejtësisë, ushtruesi i detyrës së presidentit nuk ka ndonjë kufizim, nuk ka asnjë problem që thjesht të dekretojë kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit,” theksoi ai. Bugaqku shtoi se nuk ka pengesa kushtetuese apo ligjore, pasi Gjykata Kushtetuese i ka sqaruar mjaft mirë funksionet e ushtruesit të detyrës së presidentit gjatë procesit të amendamenteve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Edhe Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësoi se procesi është zhvilluar në përputhje me standardet ligjore dhe rregullative. Ai theksoi se IKD, në bashkëpunim me organizatat KDI dhe FOL, ka publikuar një raport preliminar me vlerësime pozitive, duke respektuar procesin, procedurat dhe standardet e përcaktuara me rregullore dhe legjislacionin në fuqi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kabashi tha se, ndryshe nga procesi i kaluar që pati mangësi dhe e komprometoi emërimin, kësaj radhe janë respektuar plotësisht të gjitha standardet e nevojshme. “Në këtë proces janë respektuar në tërësi procedurat, ka pasur barazi mes kandidatëve, objektivitet dhe konfidencialitet gjatë vlerësimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Po ashtu, procesi ka qenë transparent, me intervista të incizuara e të bëra publike, dhe KPK-ja vazhdimisht ka ftuar për monitorim në çdo fazë, nga momenti i shpalljes së konkursit deri tani,” sqaroi Kabashi.

Ai shtoi se pas nominimit të Zejnullah Gashit nga KPK-ja, procesi tashmë kalon në Presidencë për dekretim. “Republika e Kosovës ka mbetur me ushtrues detyre për gati pesë vite, ndërkohë që pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është më e rëndësishmja brenda sistemit prokurorial, duke garantuar funksionimin dhe mbarëvajtjen e duhur të tij,” u shpreh Kabashi. Ai përmendi thirrjet e organizatave dhe raportet ndërkombëtare, konkretisht Raporti i Progresit, për plotësimin e kësaj pozite pas një procesi tërësisht objektiv, transparent dhe të barabartë mes kandidatëve. “Për këtë arsye, i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit dhe është e domosdoshme, në një farë mënyre urgjente, që të kemi Kryeprokurorin e Shtetit me kompetenca të plota në luftën kundër dukurive kriminale në Republikën e Kosovës, si instanca më e lartë brenda sistemit prokurorial,” përfundoi ai.