Bardhyl Mahmuti i bën thirrje Gjykatës Speciale: Refuzoni akuzën për ‘ndërmarrje kriminale të përbashkët’
Politologu dhe shkrimtari Bardhyl Mahmuti i ka dërguar një letër trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke u kërkuar gjyqtarëve që, gjatë përpilimit të vendimit për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mbështeten në jurisprudencën ndërkombëtare. Mahmuti thekson rëndësinë e shmangies së “gabimeve historike” në drejtësi dhe i fton ata të hedhin poshtë akuzën për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” (NKK).
Letra i është adresuar gjyqtarëve Charles Smith III, Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, dhe është përcjellë përmes Shefes së Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun, Angela Griep.
Në letër, Mahmuti e krahason procesin gjyqësor në Hagë me “Çështjen Dreyfus”, duke kujtuar 120-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Kasacionit të Francës, që shpalli të pafajshëm kapitenin Alfred Dreyfus. Ai e cilëson këtë rast si një shembull historik për juristët lidhur me rrezikun e ndikimeve politike dhe institucionale në vendimmarrjen gjyqësore. Mahmuti përmend figura franceze si Georges Picquart dhe Émile Zola, duke theksuar se “heshtja ndaj së vërtetës të bën bashkëfajtor në padrejtësi”.
Mahmuti pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbahen në paraburgim prej pesë vjetësh e tetë muajsh “padrejtësisht”. Ai kritikon ashpër kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënime prej 45 vjetësh ndaj secilit prej tyre, çka, sipas tij, përkon me burgim të përjetshëm.
Argumenti kryesor i Mahmutit është se akuza për “ndërmarrje kriminale të përbashkët” (NKK) bie ndesh me jurisprudencën ndërkombëtare. Ai sjell si shembull vendimin e Gjykatës Speciale të Sierra Leones, e cila hodhi poshtë pretendimet e prokurorit për të cilësuar kryengritësit si pjesëtarë të një NKK-je. Në atë rast, u vendos se “marrja e pushtetit politik dhe vendosja e kontrollit… nuk përbën qëllim kriminal sipas statutit të Gjykatës Ndërkombëtare. Në të Drejtën Ndërkombëtare nuk ekziston asnjë normë që ndalon kryengritjen”.
Mahmuti përmend gjithashtu rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), ku, pavarësisht përpjekjeve të prokurorisë për të përdorur terminologjinë e NKK-së të sajuar nga shërbimi sekret serb për të kriminalizuar luftën çlirimtare të UÇK-së, gjykata shpalli pafajësinë e Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, duke hedhur poshtë pretendimin për NKK-në.
Përveç referencave ligjore, Mahmuti thekson se në procesin gjyqësor aktual kanë dëshmuar personalitete të shquara me kredibilitet ndërkombëtar, si James Rubin, Paul Williams, John Duncan, Jack Covey, Christopher Hill, Michael Durkee dhe Wesley Clark. Dëshmitë e tyre, sipas Mahmutit, synojnë të ndihmojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës të mos bëjnë gabim duke dënuar njerëz tërësisht të pafajshëm.
Në mbyllje të letrës, Bardhyl Mahmuti i bën thirrje ndërgjegjes së gjyqtarëve, duke shprehur bindjen se duke shpallur pafajësinë e plotë të të akuzuarve, ata do të mbeten në kujtesën e njerëzimit në të njëjtën cilësi si gjyqtarët e Gjykatës së Kasacionit të Francës që shpallën pafajësinë e Alfred Dreyfusit.
