Oficerë të FSK-së përfundojnë me sukses kursin e lartë në Mbretërinë e Bashkuar

Dy majorë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Afrim Xhelili dhe Besnik Thaqi, kanë përfunduar me sukses të shkëlqyer Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, e vendosur në Shrivenham. Përveç kësaj, ata kanë fituar edhe titullin Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College në Londër.

Ky Kurs i Avancuar i Komandës dhe Shtabit synon të edukojë dhe zhvillojë udhëheqësit e mesëm dhe të lartë për detyra komanduese dhe shtabore të nivelit strategjik e operacional. Programi përgatit oficerët për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake komplekse, për bashkëpunimin me agjenci qeveritare dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe për zbatimin efektiv të instrumenteve të fuqisë kombëtare në ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore, bëhet e ditur në njoftim.

Në këtë program prestigjioz morën pjesë mbi 240 pjesëmarrës nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga 47 shtete të tjera anembanë botës.

Pjesëmarrja dhe diplomimi i oficerëve të FSK-së në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës drejt ndërtimit të një ushtrie moderne dhe të përgatitur sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.