**Kufizimet e qarkullimit për automjetet e rënda vazhdojnë nesër**

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se kufizimet e përkohshme në qarkullim, të aplikuara për automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë në autoudhë, të cilat hynë në fuqi të shtunën, do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.

Sipas njoftimit, këto kufizime do të zbatohen nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak se temperaturat e parashikuara pritet të kalojnë 32 gradë Celsius. Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi do të lejohet pa kufizime.

Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore. Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve dhe drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre sipas orarit të përcaktuar.