Kryetari shumëvjeçar i Lubjanës, Zoran Jankoviq, ka pranuar humbjen dhe ia ka uruar fitoren kundërshtarit të tij, Luka Mesec. Kjo shënon fundin e 20 viteve të qeverisjes së Jankoviqit në kryeqytetin e Sllovenisë.
Pas numërimit të më shumë se 80 për qind të votave, kandidati i së majtës, Luka Mesec, ka marrë 51.28 për qind të votave, ndërsa Jankoviq 48.72 për qind.
Edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar ende, Jankoviq, pas gjashtë mandatesh në krye të komunës, ka pranuar se karriera e tij si kryetar i Lubjanës po merr fund.
Dallimi në numrin e votave, siç raportoi më herët N1 Sllovenia, është rritur nga 600 në më shumë se 2 mijë vota.
“Faleminderit të gjithëve që dolën në zgjedhje. Pjesëmarrja në raundin e dytë ishte jashtëzakonisht e lartë. E telefonova Lukën dhe ia urova fitoren. I uroj mandat të suksesshëm si kryetar komune dhe e sigurova se do ta ndihmoj në çdo çështje”, tha Jankoviq për gazetarët.
“Jam i trishtuar, por duket se 20 vjet kanë qenë një periudhë mjaft e gjatë. Dua t’i falënderoj qytetarët për mbështetjen, e veçanërisht ekipin tim”, tha ai.
Kush është Zoran Jankoviq?
Zoran Janković është biznesmen dhe politikan slloven me origjinë serbe. Ai ka lindur në fshatin Saraorci, pranë qytetit të Smederevës në Serbi, atëherë pjesë e Jugosllavisë, nga babai serb dhe një nënë sllovene.
Jankoviq e nisi karrierën e tij në biznes dhe në vitin 1990 themeloi kompaninë Electa, të cilën e drejtoi deri në vitin 1997. Më pas, nga viti 1997 deri në vitin 2005, ishte drejtor i përgjithshëm i kompanisë së njohur tregtare sllovene Mercator, ku u bë një nga emrat më të njohur të biznesit në Slloven.
Në vitin 2006, ai hyri në politikë dhe u zgjodh kryetar i Lubjanës. Që atëherë, për dy dekada, Jankoviq ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të politikës lokale në Slloveni.
