**Shfaqja e delfinëve në Gjirin e Vlorës mahnit turistët**
Një tufë delfinësh ka dhuruar një shfaqje madhështore në Gjirin e Vlorës, duke lënë pa fjalë turistët që po udhëtonin me gomone drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
Delfinët u shfaqën pranë mjeteve lundruese, duke notuar përpara gomoneve dhe duke luajtur mes dallgëve, raportojnë mediat.
Me kërcimet dhe lëvizjet e tyre elegante, ata krijuan një moment të rrallë natyror, i cili u prit me entuziazëm të madh nga vizitorët. Shumë prej tyre nuk ngurruan ta filmonin dhe fotografonin këtë pamje të veçantë.
Skena të tilla janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në ujërat e Vlorës, sidomos në ditët kur deti është i qetë dhe moti i favorshëm.
Delfinët vazhdojnë të mbeten një nga bukuritë më të veçanta të bregdetit vlonjat, duke shtuar hijeshinë e udhëtimeve drejt Sazanit dhe Karaburunit dhe duke u ofruar vizitorëve kujtime të paharrueshme.
