Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e shpalljes së përfituesve të bursave studentore nga Komuna e Fushë Kosovës, duke pretenduar se procesi është përcjellë me mungesë transparence.
Përmes një postimi në Facebook, Murseli ka thënë se lista e publikuar nga komuna nuk i plotëson standardet e një njoftimi zyrtar.
“Nga një njoftim në Excel i Komunës së Fushë-Kosovës, që nuk përmban asnjë element të një njoftimi zyrtar, as numër të protokollit, as emrat e anëtarëve të komisionit vlerësues dhe as nënshkrimet e tyre, shihet qartë mungesa e transparencës në këtë proces”, ka shkruar ai.
Sipas Murselit, në listën e publikuar mungojnë pikët e fituara nga studentët përfitues sipas kritereve të thirrjes publike, ndërsa nuk është bërë publike as lista e studentëve që nuk kanë përfituar bursa.
“Po ashtu, lista e publikuar nuk përmban pikët për secilin student përfitues, bazuar në kriteret e përcaktuara në thirrjen publike, dhe nuk është publikuar as lista e studentëve jopërfitues me pikët që kanë marrë, për të bërë krahasimin me studentët përfitues”, ka deklaruar ai.
Asamblisti i PDK-së ka vlerësuar se mënyra e publikimit të rezultateve ngre dyshime për procesin e përzgjedhjes së përfituesve.
“Kjo mënyrë e publikimit të rezultateve shpërfaq mungesë serioze të transparencës dhe ngre dyshime të bazuara mbi mënyrën e përzgjedhjes dhe shpalljes së studentëve përfitues të bursave”, ka theksuar Murseli.
Ai ka kritikuar edhe kohëzgjatjen e procesit, duke theksuar se rezultatet janë publikuar rreth katër muaj pas hapjes së thirrjes.
“Një listë e tillë, e publikuar vetëm pas gati 4 muajsh nga hapja e thirrjes, është e papranueshme. Ky proces do të mund të përfundonte dhe rezultatet të publikoheshin brenda një kohe shumë më të shkurtër, nëse procesi do të zhvillohej me transparencë të plotë”, ka shkruar ai.
Murseli ka bërë të ditur se do t’i kërkojë Auditorit të Brendshëm të Komunës së Fushë Kosovës ta shqyrtojë tërësisht këtë proces.
“Për këtë rast do të kërkoj nga Auditori i Brendshëm i Komunës së Fushë Kosovës ta trajtojë komplet procesin dhe të nxjerrë vendim-rekomandim meritor dhe të njëjtin ta përcjellë tek organet e drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai u ka bërë thirrje studentëve që mendojnë se janë dëmtuar gjatë këtij procesi që ta kontaktojnë.
“Të gjithë ju studentë aplikues që mendoni se ju është bërë e padrejtë në këtë proces, ju lutem më shkruani, në mënyrë që procesi të kthehet në pikën zero dhe përfituesit të jenë sipas kritereve të shpallura nga thirrja publike, asgjë më shumë”, ka përfunduar Murseli.
