**Nis gjykimi në mungesë për Endrit Llapashticën dhe Dardan Marevcin në rastin “Capat-Sekiraqët”**

Ka nisur seanca fillestare e gjykimit në mungesë ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, të cilët akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” në rastin e njohur si konflikti “Capat-Sekiraqët”.

Prokurori i çështjes, Bashkim Zeqaj, theksoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së tyre, duke përfshirë urdhërarrestet vendore dhe ndërkombëtare, por të akuzuarit vazhdojnë të jenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës së dyshuar penale. Ai shtoi se prokuroria ka shterur të gjitha mundësitë ligjore për arrestimin dhe prezencën e tyre, prandaj ka ngritur aktakuzën në mungesë. Prokurori i propozoi gjykatës vazhdimin e gjykimit në mungesë, me theksin se sapo të arrestohen apo të paraqiten, ndaj tyre do të caktohet menjëherë masa e paraburgimit.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku, konfirmoi se gjykata ka ndërmarrë hapa për të siguruar praninë e të akuzuarve, përfshirë publikimin e njoftimit në faqen zyrtare të gjykatës. Ajo bëri thirrje publike ndaj vetë të akuzuarve të paraqiten para organeve të drejtësisë dhe ftoi qytetarët që kanë informacione për vendndodhjen e tyre t’i raportojnë ato. Pasi të akuzuarit nuk u paraqitën në seancë dhe nuk u mor asnjë informacion, gjykata, duke pasur parasysh natyrën e rëndë të veprës, vendosi të mbajë gjykimin në mungesë. Ajo shpjegoi se gjykimi ndaj shtatë personave të tjerë të përfshirë në të njëjtin rast po mbahet normalisht, ndërsa ndarja e gjykimit për Llapashticën dhe Marevcin u bë për t’u dhënë atyre mundësinë të paraqiteshin.

Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci akuzohen gjithashtu, secili veç e veç, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata, me propozim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, do të zhvillojë gjykimin ndaj tyre në mungesë, pasi ata kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës. Thirrja publike e gjykatës u drejtohet Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit të paraqiten dhe dorëzohen para organeve të ndjekjes në Republikën e Kosovës, ndërsa qytetarët me informacione janë ftuar t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës apo tek organet kompetente.

Në lidhje me këtë ngjarje, ku mbeti i vrarë një person, është ngritur aktakuzë ndaj gjithsej nëntë personave. Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., V.A., D.M. dhe E.M., anëtarë të grupit të njohur me nofkën “C”, më 1 shtator 2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshjeje paraprake, janë mbledhur, maskuar dhe pajisur me armë të gjata e të shkurtra (revolverë) si dhe me mjete të forta (stupca). Ata, sipas aktakuzës, kanë përdorur tri vetura të markave Porsche, Volksëagen Polo dhe Audi A7, të cilave ua kishin ndërruar targat me targa të vjedhura, me qëllim të tentimit për privimin nga jeta të pandehurit tjetër S.S. dhe anëtarëve të grupit të tij, përkatësisht F.A., E.LL. dhe R.LI.

Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë dyshon se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Gjithashtu, i pandehuri V.B. akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.