**Eliza Hoxha: Takimet me Kurtin, lojë taktike; VV nuk është e interesuar për marrëveshje me PDK-në**

Anëtarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka deklaruar në emisionin “Pressing” të T7 se PDK-ja e ka përmbushur detyrën e saj si parti opozitare.

Ajo theksoi se PDK-ja i është përgjigjur ftesës së kryeministrit të Kosovës për të kuptuar qëndrimin e tij.

Hoxha shtoi se kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka prezantuar një ofertë serioze, ndërsa pozicionimin e PDK-së e ka bërë të qartë Bedri Hamza. Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje (VV) e ka pranuar se nuk është e interesuar për një marrëveshje me PDK-në.

Ajo vlerësoi se takimet me Kurtin janë kthyer në një lojë taktike.

“Edhe sikur të mos merrnim pjesë në takime, prapë do të gjykoheshim. Këto takime janë shndërruar në një lojë taktike e teknike. Epilogu dihet kur je rreshtuar për vetëm një aktor të caktuar politik,” deklaroi ajo.