**Sa kafe mund të pini në ditë pa rrezikuar shëndetin? Një studim i fundit jep përgjigje.**

Një analizë e fundit e studimeve nga Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA) ka zbuluar se shumica e të rriturve mund të konsumojnë deri në pesë filxhanë kafe në ditë (afërsisht 400 mg kafeinë) pa rritur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Ky përfundim është raportuar nga USA Today.

Megjithatë, përfitimet shëndetësore lidhen kryesisht me kafenë e zezë. Sasia e madhe e sheqerit, shurupeve aromatike dhe produkteve të bulmetit mund të rrisin ndjeshëm kaloritë dhe të zbehin efektet pozitive të kafesë.

Studiuesit paralajmërojnë se ky kufi nuk vlen për pijet energjike me përmbajtje të lartë kafeine. Doktor Gregory M. Marcus, profesor i mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, thekson se “dozat e larta të kafeinës, si ato që gjenden në pijet energjike, mund të kenë efekte të dëmshme në zemër dhe duhen shmangur”. Ai shton se konsumimi i tepërt i kafeinës mund të çojë në hipertension dhe çrregullime të ritmit kardiak.

Nga ana tjetër, konsumi i kafesë pa sheqer dhe pa shtesa është lidhur me një rrezik më të ulët për diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës, sulmin në tru, insuficiencën kardiake dhe disa lloje aritmish.

Gjithashtu, studimi theksoi se llojet e kafesë së pafiltruar, si ekspresi, French press, kafeja turke dhe kafeja e zier, përmbajnë substanca që mund të rrisin nivelin e kolesterolit të keq (LDL).

Ekspertët theksojnë se nuk ekziston një rregull universal për të gjithë. Doktor Marcus përfundon duke thënë se “njerëzit reagojnë ndryshe ndaj kafeinës, në varësi të moshës, gjendjes shëndetësore, medikamenteve që përdorin, faktorëve gjenetikë dhe mënyrës se si trupi e metabolizon atë.”