Përleshje me armë në Pejë: Plagoset një kalimtar, dy persona arrestohen

Një person ka mbetur i plagosur lehtë, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar pas një përleshjeje fizike dhe të shtënave me armë zjarri në fshatin Kosuriq të Pejës.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë bën me dije se rasti është raportuar më 21 korrik 2026 në stacionin policor. Njësitë policore shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku takuan viktimën. Ky i fundit deklaroi se pas një përleshjeje fizike, njëri prej të dyshuarve, së bashku me një tjetër, ka qëlluar me armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, një kalimtar rasti ka pësuar një gërvishtje dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

Në vendin e ngjarjes, policia gjeti një gëzhojë. Më pas, me urdhër të prokurorit të shtetit, u ushtrua kontroll në shtëpitë e të dyshuarve. Aty u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri, një gëzhojë dhe një karikator.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit policorë. Me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar dhe rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.