Ministria e Financave e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje granti me vlerë 5 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW). Ky financim shtesë synon mbështetjen e Projektit “Zhvillimi i sektorit të energjisë Faza VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”, i cili do të mundësojë realizimin e disa projekteve për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Projekti po zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT). Ai do të mbështesë investime kyçe për fuqizimin e infrastrukturës së transmetimit, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe thellimin e integrimit të tregut energjetik.

Ky investim përbën një hap thelbësor drejt forcimit të kapaciteteve të sistemit energjetik dhe modernizimit të rrjetit të transmetimit në vend.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi angazhimin e KOSTT-it në zbatimin e projektit dhe rezultatet e deritanishme. Ai theksoi se ky financim shtesë, i siguruar nga Qeveria Gjermane përmes KfW-së, do të ndihmojë në realizimin e investimeve prioritare dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik të vendit.

Ndërkaq, Drejtori i KfW-së për Kosovë, Moritz Remé, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet kosovare. Ai po ashtu konfirmoi gatishmërinë e KfW-së për të vijuar mbështetjen ndaj modernizimit të sektorit energjetik në Kosovë.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, bëri të ditur se projektet po realizohen sipas dinamikës së planifikuar. Ai shtoi se mbështetja shtesë nga KfW do të krijojë mundësi për modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmetimit, duke forcuar aftësinë e tij për t’iu përgjigjur kërkesave të së ardhmes dhe duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.