Presidentja Osmani përkujton vendimin historik të GJND-së, shpërndan fotografi nga 22 korriku 2010

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar datën 22 korrik 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Përmes një postimi në platformat sociale, të shoqëruar me imazhe të asaj periudhe, Osmani e vlerësoi atë si “momentin e dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

“22 Korrik 2010, Hagë. Mirënjohje për të gjithë ekipin me të cilin punuam bashkë për këtë rezultat historik për Republikën tonë”, ka shkruar Osmani.

Osmani shpërndau fotografi nga Haga, duke risjellë në vëmendje vendimin këshillues të GJND-së, i cili mbetet një nga çastet kyçe në konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.