Konfirmohet viktima e dytë nga moti i keq në jug: Peshkatar gjendet i mbytur pranë Ksamilit

Një ngjarje tragjike është shënuar në afërsi të ishujve të Ksamilit, ku një peshkatar është gjetur i pajetë në det. Kjo shënon viktimën e dytë të regjistruar si pasojë e motit të keq që ka përfshirë zonën jugore të vendit.

Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai ka humbur jetën nga mbytja. Gjatë kërkimeve, Policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të 61-vjeçarit, i cili ishte fundosur. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme, në kushtet e një stuhie të fortë dhe moti të keq që përfshiu zonën.

Grupi hetimor po shqyrton pistën e mbytjes aksidentale si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, ndërkohë që po hetohet edhe mundësia e vetëmbytjes.

Burime të policisë bëjnë me dije se 61-vjeçari ishte i divorcuar dhe fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri ai nuk kishte familjarë të tjerë, përveç një motre. Hetimet nga ana e Policisë vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.