Shpend Ahmeti, ish-Kryetar i Prishtinës, ka deklaruar në seancën gjyqësore se 172.600 eurot e padeklaruara gjatë kohës sa kishte qenë në detyrë, ishin ndihmë financiare nga familja.
Këtë deklaratë Ahmeti e bëri të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po përballet me akuzat. Prokuroria, nga ana tjetër, ka propozuar dënimin e Ahmetit me 1 vit e 6 muaj burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh. Po ashtu, kërkohet konfiskimi i pasurisë në shumën e padeklaruar ose i një pasurie ekuivalente, sipas raportimeve të “Betimit për Drejtësi”. Ahmeti u deklarua i pafajshëm.
Në fjalën e tij hyrëse, Prokurori Special, Dren Paca, theksoi se aktakuza do të provohet përmes provave që do të administrohen. Këto përfshijnë përgjigjen zyrtare të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), formularët e deklarimit të pasurisë për periudhën 2018-2022 gjatë mandatit të Ahmetit si kryetar, të dhënat e siguruara nga bankat dhe ekspertiza financiare. Pas administrimit të këtyre provave, prokurori Paca pohoi se do të vërtetohet që i akuzuari ka depozituar fonde në shumën 172.600 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar.
Megjithatë, avokati mbrojtës i Ahmetit, Arbër Istrefi, kundërshtoi në tërësi aktakuzën. Ai argumentoi se “nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e parapara të veprës penale”. Istrefi pohoi se mjetet e pretenduara si të padeklaruara janë depozitime në llogari bankare nga vetë klienti i tij, “nuk kanë origjinë kriminale dhe nuk ka pasur asnjë qëllim për t’i fshehur ato”.
Ahmeti gjithashtu theksoi se gjatë periudhës për të cilën akuzohet, i është nënshtruar disa herë kontrollit të detajuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe nuk ka pasur asnjë problem apo vërejtje nga APK-ja.
“Gjatë kësaj periudhe, unë i jam nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK, që sipas ligjit bëhet me llotari dhe përzgjidhen 20 për qind të zyrtarëve. Unë jam përzgjedhur disa herë në këtë procedurë dhe sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, në qoftë se Agjencia gjen parregullsi i shkruan zyrtarit dhe i jep afat 15-ditor që të përmirësojë deklarimin e pasurisë. Pas këtyre kontrolleve, nuk kam marrë asnjë shkresë nga Agjencia,” deklaroi Ahmeti.
Lidhur me paratë e depozituara gjatë periudhës 2018-2022, Ahmeti shpjegoi se ishin ndihmë financiare nga familja e tij për shpenzime të ndryshme, pasi bashkëshortja e tij ishte e papunë në atë kohë. Ai pretendoi se nuk kishte pasur kurrë qëllim t’i fshehte dhe theksoi se nuk e kishte deklaruar atë shumë, sepse nuk kishte menduar se ishte detyrim ligjor. “Në rastin më të keq për mua është një gabim teknik,” shtoi Ahmeti.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Ahmetit më herët, për mosdeklarim të pasurisë në vlerë prej 172.600 eurosh. Ai akuzohet se nga viti 2018 deri në vitin 2022, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar depozitimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve në fjalë.
