Kosova, vendi më pro-amerikan sipas Gallup; Ambasada: Dëshmi e partneritetit të fortë

Sipas të dhënave të publikuara sot nga “Gallup”, Kosova është vendi me opinionin më pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke tejkaluar Izraelin dhe Shqipërinë. Këtë e raporton Express.

Në pesë vendet kryesore renditen gjithashtu Polonia, Shqipëria dhe Filipinet, të cilat shfaqin opinion negativ ndaj Kinës.

Nga ana tjetër, Rusia, Pakistani, Tunizia, Singapori dhe Hong Kongu tregojnë një përafrim më të theksuar me Kinën. Megjithatë, preferencat e tyre pasqyrojnë një negativitet më të thellë ndaj SHBA-së sesa një entuziazëm të fortë për Kinën.

Ambasada e Kosovës në Uashington e cilësoi këtë si një dëshmi të partneritetit të fortë mes dy vendeve. Në një postim në rrjetin social Twitter, Ambasada shkroi: “Sipas raportit të fundit nga Gallup, Kosova regjistron miratimin më të lartë neto relativ për Shtetet e Bashkuara në mbarë botën. Një tjetër dëshmi e partneritetit të fortë dhe miqësisë së qëndrueshme midis dy vendeve tona!”