Sami Lushtaku, në fjalën e tij përfundimtare para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se prej 13 vitesh po përballet me procese gjyqësore nga sistemi i drejtësisë i EULEX-it. Ai theksoi se është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova dhe argumente, raporton Ekonomia Online.

Lushtaku kujtoi se më herët ishte dënuar për krime lufte me 12 vjet burgim, nga të cilat kishte mbajtur katër vjet, përpara se të shpallej i pafajshëm.

“Unë që 13 vite përndiqem nga drejtësia e EULEX-it pa argumente dhe pa fakte. Gjykimi im i mëparshëm ishte për krime lufte, ku u dënova me 12 vjet dhe mbajta 4 vjet burg, por në fund u shpalla i pafajshëm. E di që kjo aktakuzë i është prezantuar kësaj gjykate si provë e pakundërshtueshme nga EULEX-i, e cila ka pasur një qëllim të caktuar, pasi këtu nuk ka bazë juridike që unë të akuzohem për diçka me të cilën nuk kam pasur lidhje,” citohet të ketë thënë ai.

Ai ka mohuar se dëshmitarët e përmendur në rast kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë kundër tij, duke theksuar se disa nga të akuzuarit nuk i kishte njohur fare.

“As dëshmitari F as C nuk kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë ndaj meje. Një pjesë të këtyre të akuzuarve unë nuk i kam njohur asnjëherë. Sheremetin e kam vendas, por asnjëherë nuk e kam njohur. Prandaj, për mua është e rëndësishme që unë e ndiej veten të pafajshëm dhe e ndiej veten që 13 vite i penalizuar dhe i përndjekur nga gjykatat e EULEX-it,” theksoi Lushtaku.

Lushtaku ka përfunduar deklaratën e tij duke theksuar se asnjëherë nuk ka kërkuar mëshirë, por vetëm drejtësi. “Unë asnjëherë nuk kam kërkuar mëshirë, kam kërkuar gjithmonë vetëm drejtësi, edhe në këtë rast kërkoj vetëm drejtësi,” përfundoi ai.