Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur paraditen e së premtes në rrugën magjistrale, në vendin e njohur si “Qafa e Duhlës”. Në këtë ngjarje janë përfshirë tre kamionë dhe një automjet, duke lënë të lënduar së paku një person.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Bytyqi deklaroi se aksidenti u regjistrua sot, më 24 korrik 2026, rreth orës 10:00. “Si pasojë e aksidentit, së paku një person ka pësuar lëndime trupore,” tha Bytyqi, duke shtuar se në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë patrullat policore, ekipet mjekësore emergjente dhe zjarrfikësit, të cilët po kryejnë veprimet e nevojshme.
Për shkak të aksidentit dhe ndërhyrjes së shërbimeve emergjente, qarkullimi i trafikut në këtë segment rrugor është ndërprerë në të dy drejtimet, deri në një njoftim tjetër.
Policia po punon intensivisht për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe për lirimin sa më të shpejtë të rrugës për qarkullim.
