Roskovec: Autori i krimit, Nertil Buzi, vret ish-vjehrrin dhe merr peng ish-të fejuarën, vetëvritet pas negociatave me Policinë

Nertil Buzi, 35 vjeç, autori i një krimi të rëndë në Roskovec të Fierit, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij. Ngjarja tragjike vjen pas disa orësh negociata intensive me forcat e policisë. Paraprakisht, ai kishte vrarë ish-vjehrrin e tij, kishte plagosur ish-vjehrrën dhe kishte marrë peng ish-të fejuarën.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ngjarja e rëndë kriminale nisi në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R.B. (Nertil Buzi), 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të fejuarës së tij (ish-vjehrrin) dhe plagosi nënën e saj (ish-vjehrrën). Më pas, ai mori peng ish-të fejuarën e tij, shtetasen R.P.

Pas lirimit të saj, falë ndërhyrjes profesionale të forcave të policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorit, vijoi përpjekjet për të bindur 35-vjeçarin të dorëzohej dhe të shmangej përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.

Megjithatë, pavarësisht negociatave intensive, të cilat u zhvilluan që prej orëve të para të mëngjesit, Nertil Buzi nuk iu bind thirrjeve të Policisë për dorëzim. Rreth orës 16:35, dyshohet se ai i dha fund jetës duke u vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit të tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë ngjarje të rëndë kriminale.