Topi i Artë nuk fitohet vetëm me Kupën e Botës.

Kjo është ajo që theksohet në një sqarim të publikuar nga organizatorët e çmimit prestigjioz Ballon d’Or, ku ritheksohen kriteret kryesore për fitimin e trofeut individual më të rëndësishëm në futboll.

Sipas deklaratës, triumfi në Kupën e Botës është një avantazh i madh, por nuk përbën garanci për të fituar edhe Topin e Artë.

Statistikat e publikuara tregojnë se që nga viti 1995, vetëm katër nga shtatë futbollistët që kanë fituar Kupën e Botës kanë arritur të fitojnë edhe Topin e Artë, një përqindje prej 57%.

Në raport theksohet se vlerësimi për Topin e Artë bazohet në paraqitjet e futbollistit gjatë gjithë sezonit dhe jo vetëm në performancën në një turne të vetëm.

“Po, fitimi i Kupës së Botës ndihmon, por nuk garanton fitimin e Ballon d’Or. Për ta fituar këtë çmim, duhet të kesh qenë lojtari më i mirë i sezonit, jo vetëm i Kupës së Botës”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Ky sqarim vjen në një kohë kur debati për fituesin e ardhshëm të Topit të Artë është intensifikuar, me organizatorët që rikujtojnë se vlerësimi bazohet në ecurinë e plotë të sezonit dhe jo vetëm në suksesin në një kompeticion ndërkombëtar.