Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka dënuar ashpër ofendimet e drejtuara ndaj komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, duke kërkuar reagimin e organeve të drejtësisë.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, nëpërmjet një postimi në platformën “Facebook”, shprehu indinjatën e tij. Ai theksoi se cilësimi si “palaço” i një personaliteti si Bashkim Jashari, i cili vjen nga familja heroike dhe emblematike Jashari – një familje që sakrifikoi gjithçka, deri te më i vogli anëtar i saj, për lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë sot – është jo vetëm i papranueshëm, por skandaloz dhe i turpshëm.
“Kushdo që shfaq një gjuhë të tillë fyese dëshmon vogëlsi, mosmirënjohje dhe një mungesë flagrante respekti ndaj historisë dhe sakrificës sublime të kombit tonë,” citon postimi. Gucati shtoi se “Emri Jashari nuk është thjesht një emër, por vetë themeli i lirisë sonë, amaneti dhe krenaria jonë kombëtare.”
Në vijim të reagimit të tij, Gucati theksoi se përballë kësaj gjuhe denigruese dhe të papranueshme, organet e drejtësisë duhet të veprojnë pa hezitim dhe të marrin masat e nevojshme ligjore.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, vijon njoftimi, “e dënon ashpër këtë gjuhë skandaloze dhe të turpshme, duke qëndruar me vendosmëri në mbrojtje të dinjitetit të vlerave tona kombëtare dhe të atyre që sakrifikuan për këtë vend.” Postimi përfundon me mesazhin se “Liria nuk u dhurua, ajo u pagua me gjak. Respekti për familjen Jashari është respekt për vetë lirinë tonë!”
