Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1, ka adresuar krizën aktuale politike, rrezikun e dërgimit të vendit në zgjedhje të reja si dhe ndryshimin e kursit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Aleancës.

Haradinaj ka bërë të ditur se zvarritja e qëllimshme e procesit për gjetjen e një zgjidhjeje po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, duke e konsideruar këtë si një fyerje të rëndë për qytetarët dhe institucionet.

“Me sa po shoh unë jemi duke shkuar në zgjedhje, sepse praktika me e bartë datën deri në datën e fundit pa punë intenzive për me gjetë zgjidhje, e konsumon kohën dhe nëse provohet me ato metodat e aktit të kryer me ta nxjerrë një kandidaturë e cila nuk e merr votën ose kuorumin e shumicës dhe vetvetiu të çon në zgjedhje. Ne kur e çojmë dorën në seancë, dojmë me e pa efektin e mirë që ja bëjmë Kosovës. Aleanca nuk shkon me ju bë qejfin të tjerëve, po don me i bë qejfin Kosovës. Për fat të keq, nëse e çojmë vendin në zgjedhje prap kjo është një fyerje e rëndë e popullit të Kosovës, e qytetarëve e institucioneve, të arriturave të Kosovës dhe një mesazh i keq për partnerët tanë. Kjo ka pasoja për të gjithë vendin,” deklaroi Haradinaj, duke e quajtur idenë për marrjen e gazit nga Shqipëria si “një lloj mashtrimi të radhës”.

Ai ka akuzuar pushtetin aktual për bllokim të qëllimshëm të institucioneve me qëllim të kontrollit absolut mbi buxhetin, pa llogaridhënie ndaj parlamentit.

“Këta insistojnë me e pru një president të vetin, duhet me i pyet pse? Nuk e kanë me mbështet qeverisjen, ky është një pretekst i tyre, çështja e tyre, për mos me vazhdu me kriju institucionet, me mbajt Kosovën në këtë gjendje që është e dhimbshme. Këta po qeverisin në ndërmjet kohë, po menaxhojnë me atë buxhet që ekziston, nuk ka opozitë që i kontrollon sepse s’ka parlament, gjithë kohën janë ushtrues detyre, korrupsioni po rritet, shpenzimet po rriten, këta nuk po e mbajnë përgjegjësinë e fituesit, po vetëm përfitimet e fituesit.”

Haradinaj i është përgjigjur edhe deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili pas zgjedhjeve të qershorit ndryshoi qëndrim duke iu referuar Aleancës si “parti e respektuar”, pas një fushate të egër që synonte eliminimin e saj politik.

“Kjo është një zhvillim që duhet me lexu prej shumë perspektivave, jo veç për këtë pjesë, se z. Haradinaj s’është kryetar. Ka pas një mobilizim të madh të Kurtit dhe Vetëvendosjes që Aleanca mos me kalu pragun, se ka qenë një lloj therre në sy, pengesë serioze në parlament, qysh e dini. Angazhimet e Aleancës e punët e Aleancës në Kuvend. Ky angazhim i tyre dështoi nën Haradinaj, po dështoi me kryetarin e ri edhe u vërtetua që Aleancën nuk mundesh me zhduk prej skenës politike. Edhe ai e pranoi një realitet që Aleanca ekziston edhe s’mundesh pa e trajtu sepse pati rritje të përqindjes në zgjedhje; kur VV pati rënie, ne patëm rritje,” përfundoi Ramush Haradinaj.