**Arrestohet ish-praktikantja e NATO-s, dyshohet për spiunazh**

Prokuroria belge ka njoftuar arrestimin e një shtetaseje kanadeze me origjinë kineze, e cila më parë ka shërbyer si praktikante në një prej objekteve kryesore të NATO-s në Belgjikë. Ajo dyshohet për spiunazh dhe përfshirje në një organizatë kriminale.

Sipas autoriteteve, gruaja mendohet se ka vepruar në emër të një shteti të tretë, megjithëse nuk është specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.

Prokuroria ka deklaruar se hetimet vijojnë dhe se, për momentin, nuk do të publikohen detaje shtesë mbi identitetin e të dyshuarës, raporton Reuters.

E dyshuara kishte punuar si praktikante në SHAPE (Supreme Headquarters Allied Powers Europe), selinë qendrore të komandës ushtarake të NATO-s në Mons të Belgjikës. Ky objekt përbën një nga qendrat më jetike të Aleancës, ku koordinohen operacionet dhe planifikimet ushtarake të NATO-s në Evropë.

Prokuroria belge nuk ka ofruar detaje mbi natyrën e veprimtarisë së dyshuar, kohëzgjatjen e praktikës apo informacionet të cilave ajo mund të ketë pasur qasje. Megjithatë, rasti po trajtohet me seriozitet të lartë, për shkak të vendndodhjes ku ajo ishte angazhuar dhe rolit strategjik të SHAPE brenda strukturave të NATO-s.

Ky arrestim ndodh në një periudhë kur vendet anëtare të NATO-s kanë shtuar vigjilencën kundrejt kërcënimeve të spiunazhit dhe ndërhyrjeve të huaja, veçanërisht në institucionet kyçe të sigurisë dhe mbrojtjes.

Autoritetet belge pritet të ofrojnë më shumë informacion pas përfundimit të fazave fillestare të hetimit.