Tre persona janë arrestuar në Shkodër, si rezultat i operacionit të koduar “SIGURIA” të Policisë së Shkodrës, i cili synon goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në pranga ranë shtetasit Elzner Kurmemaj, 42 vjeç, banues në Shkodër; Albion Idrizi, 18 vjeç, banues po në Shkodër; si dhe Indrit Avdyli, 18 vjeç, banues në Londër.
Gjatë kontrollit personal ndaj Elzner Kurmemajt, të kryer në ambientet e një lokali në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, efektivët e Policisë zbuluan dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një dozë me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Në të njëjtin ambient ndodheshin edhe dy të rinjtë e tjerë, Albion Idrizi dhe Indrit Avdyli. Këta të fundit u arrestuan për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Përgjatë kontrollit të shtetasit Albion Idrizi, policia gjeti dhe sekuestroi gjithashtu një cigare me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.
