Prokuroria Speciale as nuk pohon, as nuk mohon hetimet për profilin ‘Lule Gjeli’, të dyshuar për nxitje urrejtjeje dhe shantazh
Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka konfirmuar, por as mohuar, nëse ka nisur ndonjë hetim ndaj profilit në Facebook me emrin “Lule Gjeli”, i cili dyshohet se ka nxitur gjuhë të urrejtjes dhe ka kryer shantazh.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, në një përgjigje për Gazetën Express, deklaroi se nuk mund të konfirmojë zhvillimin e hetimeve.
“Nuk mund të mohojmë, as të pohojmë nëse është duke u zhvilluar ndonjë hetim lidhur me çështjen në fjalë”, tha Luta.
Më herët, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, bëri të ditur se një prokurore është caktuar për këtë çështje dhe njoftoi se të hënën do të paraqesë denoncimin zyrtar në Prokurorinë Speciale.
“Të hënën në mëngjes do të paraqitem në Prokurorinë Speciale për ta denoncuar profilin “Lule Gjeli” dhe për të ofruar çdo informacion që kam në dispozicion”, tha Deliu.
Ajo theksoi se pas marrjes së informacionit se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, ajo ka kontaktuar menjëherë institucionin për të marrë informacione shtesë. “Sipas informatave që kam marrë, tashmë është caktuar prokurorja që po e trajton çështjen”, shtoi ajo.
Deliu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë rënë viktimë e shantazhit, kërcënimeve, fyerjeve apo kanë pësuar pasoja nga veprimtaria e këtij profili, të mos heshtin. “Çdo dëshmi dhe çdo denoncim ka rëndësi për zbardhjen e plotë të rastit”, përfundoi deputetja.
