Kosova, e vetmja pa status kandidati për BE, në pritje pas aplikimit
Kosova mbetet i vetmi vend mes dhjetë shteteve të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, që ende nuk ka marrë statusin formal të vendit kandidat. Ky status, një hap kyç drejt anëtarësimit, i mungon Kosovës pavarësisht aplikimit të saj në dhjetor të vitit 2022.
Përkundër kritikave për ritmin e ngadaltë të reformave dhe një qasjeje jo gjithmonë konsistente ndaj integrimit evropian, institucionet e BE-së ende e klasifikojnë Kosovën si kandidate potenciale.
Shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë përballur me pritje të gjata që nga dorëzimi i aplikimeve të tyre. Turqia, për shembull, mban rekordin me rreth 39 vjet pritje.
Vende të tjera rajonale kanë aplikuar shumë më herët: Maqedonia e Veriut para 22 vjetësh, Shqipëria dhe Mali i Zi para rreth 17 vjetësh, Serbia para 16 vjetësh, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina para dhjetë vjetësh. Aplikimet e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë u dorëzuan në vitin 2022.
Pasi Kosova dorëzoi aplikimin e saj për anëtarësim në dhjetor 2022, Këshilli i BE-së ende nuk i ka kërkuar Komisionit Evropian të përgatisë opinionin zyrtar për vlerësimin e këtij aplikimi. Megjithatë, Komisioni ka deklaruar se është i gatshëm të nisë vlerësimin sapo të marrë kërkesën nga Këshilli.
