**Shkencëtarët zbulojnë: Produktet e yndyrshme të qumështit ulin rrezikun e diabetit të tipit 2**
Një studim i ri i rëndësishëm nga Universiteti i Kembrixhit ka sjellë një arsye të fortë për të konsumuar qumësht, djathë, kos dhe gjalpë me yndyrë të plotë. Shkencëtarët zbuluan se individët që konsumonin produkte qumështi me përmbajtje të lartë yndyre kishin një probabilitet dukshëm më të ulët për t’u diagnostikuar me diabetin e tipit 2.
Vitet e fundit, është zhvilluar një fushatë e gjerë kundër përdorimit të produkteve të qumështit me yndyrë të plotë. Megjithatë, ekipi kërkimor i udhëhequr nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, thekson se gjetjet e tyre sugjerojnë që qumështi dhe derivatet e tij mund të shërbejnë si një faktor mbrojtës kundër zhvillimit të diabetit të tipit 2.
Aktualisht, udhëzimet dietike amerikane nuk rekomandojnë më shumë se tre racione produktesh qumështi në ditë dhe këshillojnë zgjedhjen e varianteve pa yndyrë ose me përmbajtje të ulët yndyre.
Megjithatë, studimi i ri ka nxjerrë në pah anën pozitive të konsumit të qumështit dhe produkteve të tij me yndyrë.
Pas analizës së të dhënave nga rreth 63,000 pjesëmarrës, u vu re se ata të cilët kishin konsumuar rregullisht qumësht dhe produkte të tjera qumështi (veçanërisht ato me yndyrë), shfaqnin një rrezik dukshëm më të vogël për t’u diagnostikuar me diabet.
