**Gjilani Nderon Policët e Rënë në Detyrë**

Me rastin e Ditës së Policëve të rënë në kryerje të detyrës, Drejtori i Policisë Rajonale të Gjilanit, Agron Rukiqi, së bashku me stafin e tij dhe i shoqëruar nga kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë vizituar familjet e policëve që dhanë jetën gjatë ushtrimit të profesionit.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtyre vizitave u shpreh respekt i thellë, nderim dhe mirënjohje për sakrificën e këtyre heronjve të Kosovës, të cilët ranë në detyrë në shërbim të ligjit, rendit, qetësisë dhe sigurisë së qytetarëve.

“Në kuadër të këtyre vizitave, u nderua edhe kujtimi i policit Lazim Rexhepi, i cili ishte i pari i Policisë së Kosovës që ra në detyrë, si dhe u vizitua familja e policit Jahi Maliqi, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për sakrificën e tij. Kujtimi dhe vepra e tyre, së bashku me atë të të gjithë policëve të rënë në kryerje të detyrës, mbeten pjesë e historisë së lavdishme të Policisë së Kosovës dhe e kujtesës sonë të përbashkët”, citohet në njoftim.