Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë homazhe në Varage të Zubin Potokut, në vendin ku ra heroi i Policisë së Kosovës, Enver Zymeri, dhe ka premtuar se drejtësia do të veprojë, duke theksuar se asnjë kriminel s’do të mbetet pa u ndëshkuar.
Kurti u drejtua policëve të pranishëm, duke thënë se të gjithë zyrtarët shtetërorë duhet ta marrin Enver Zymerin si shembull të sakrificës dhe vetëmohimit. Ai u shoqërua nga ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla.
Këto homazhe shënojnë edhe 15-vjetorin e rënies heroike të Zymerit. Kreu i Qeverisë theksoi se situata në veriun e Kosovës është tashmë krejtësisht e ndryshme, falë sakrificës së Zymerit, Afrim Bunjakut dhe kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë për të gjithë, pa dallim.
Kurti kujtoi edhe 20-mujorin e shpërthimit të kanalit Ibër-Lepenc, i cili furnizon me ujë mbi gjysmën e Republikës dhe termoelektranat në Obiliq. Për këtë rast, theksoi ai, tre persona janë në burg dhe procesi i drejtësisë është në vazhdim.
“Për urdhërdhënësit dhe autorët e vrasjes së heroit Enver Zymeri, Kurti garantoi se drejtësia do të veprojë herët a vonë, sepse “asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbijetojë i pandëshkuar”. “Prokuroria dhe gjyqësori ynë kanë mbështetjen dhe detyrën e tyre për të vepruar,” shtoi ai.
Gjatë ditës, Kryeministri Kurti bëri homazhe edhe te lapidari në Prishtinë, kushtuar policëve të rënë në detyrë, si dhe vizitoi familjet e disa prej tyre.
