Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar policët e rënë në detyrë, në ditën e tyre memoriale, duke theksuar se lavdia për ta do të jetë e përjetshme. Ajo gjithashtu falënderoi të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës që çdo ditë mbrojnë Republikën me guxim, profesionalizëm dhe besnikëri.
Këto komente Presidentja Osmani i bëri përmes një postimi në Facebook, ku shkroi se lavdia për heronjtë e Kosovës do të jetë e përjetshme.
“Në paqe e në sfida, në veri e në jug, në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është mburoja e sigurisë, rendit kushtetues dhe sovranitetit të shtetit. Sot, në ditën memoriale që i kushtohet policëve të rënë në detyrë, përulemi me nderimin më të thellë para sakrificës së tyre. Afrim Bunjaku, Enver Zymeri dhe të gjithë heronjtë e Policisë dëshmuan se Kosova nuk përkulet para askujt. Ata zgjodhën detyrën, nderin dhe atdheun mbi gjithçka, prandaj lavdia për ta do të jetë e përjetshme”, shkroi Osmani.
