**Gërxhaliu: E ardhmja e Kosovës varet nga ekonomia, jo nga konfliktet politike**
Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka bërë thirrje që Kosova të zhvendosë fokusin nga përplasjet politike drejt zhvillimit ekonomik, duke theksuar se e ardhmja e vendit varet nga një ekonomi e fortë dhe institucione funksionale.
Në reagimin e tij publik, Gërxhaliu theksoi se Republika e Kosovës duhet të distancohet nga politika e ditës dhe t’i japë përparësi zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Ai shtoi se debati publik nuk duhet të përqendrohet te përballjet politike apo te pyetja kush ka të drejtë, por te vizioni afatgjatë për shtetin dhe të ardhmen që do t’u trashëgohet brezave të rinj.
“Pyetja më e madhe është se çfarë vendi po duam të ndërtojmë dhe çfarë të ardhme po duam t’ua lëmë fëmijëve tanë”, theksoi Gërxhaliu.
Ai nxori në pah se Kosova nuk i mungon potenciali, duke përmendur asete si diaspora, rinia, fuqia punëtore, lidhjet me Evropën, burimet energjetike dhe vullneti për progres.
Megjithatë, Gërxhaliu paralajmëroi se potenciali mbetet i pashfrytëzuar nëse nuk shndërrohet në organizim efektiv, zhvillim ekonomik konkret, krijim vendesh pune, investime dhe institucione plotësisht funksionale.
Sipas ekonomistit, një shtet mund të posedojë shumë mundësi, por nëse energjia kombëtare shpenzohet vazhdimisht në konflikte dhe përçarje politike, ato mundësi mbeten të pashfrytëzuara dhe vetëm në nivel deklarativ.
