**Qeveria miraton projektligjin për shtetësinë: Thjeshtohet procesi për diasporën**
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Shtetësinë, një iniciativë që synon thellimin e lidhjeve me diasporën dhe thjeshtimin e procedurave për shtetasit e saj jashtë vendit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi gjatë mbledhjes se ky projektligj do të lehtësojë ndjeshëm procesin e rikthimit të shtetësisë për pjesëtarët e diasporës, të cilët, për shkak të kufizimeve ligjore në vendet ku jetojnë, janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.
Sveçla theksoi se ky projektligj përmbush një premtim të bërë gjatë fushatës elektorale dhe do të sjellë ndryshime thelbësore në rregullat që lidhen me rifitimin, fitimin, regjistrimin dhe humbjen e shtetësisë së Kosovës.
Ministri ofroi detaje edhe mbi procedurën e aplikimit për rikthim të shtetësisë.
“Me miratimin përfundimtar të këtij Ligji, bashkatdhetarët tanë nga mërgata, që u detyruan të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, do të mund ta rikthejnë atë përmes një procedure të thjeshtuar,” sqaroi Sveçla. “Nga nëntë dokumente që kërkoheshin deri më tani, aplikimi për rikthim të shtetësisë do të bëhet vetëm me një kërkesë të thjeshtë dhe një dëshmi se personi nuk është dënuar në shtetin përkatës. Po ashtu, afati për shqyrtim, i cili ishte gjashtë muaj, është shkurtuar në 30 ditë.”
Sipas ministrit, ky proces do t’u mundësojë qytetarëve aplikimin për rifitimin e shtetësisë në një procedurë të shpejtë dhe pa asnjë pagesë.
“Ky projektligj përbën një hap të rëndësishëm drejt sigurisë juridike, thjeshtimit të procedurave për qytetarët tanë dhe forcimit të lidhjes së qëndrueshme ndërmjet shtetit dhe mërgatës, duke dëshmuar përkushtimin tonë që asnjë qytetar i Kosovës të mos ndihet i shkëputur nga atdheu i tij,” përfundoi Sveçla.
