Krim Makabër në Kolumbi: Grua Shtatzënë Vritet, Fëmija Nxirret nga Barku dhe Zhduket
Një krim makabër ka tronditur Kolumbinë, ku një grua 21-vjeçare, tetë muajshe shtatzënë, është gjetur e vrarë me plagë thike, ndërsa foshnja që mbante në bark mungon.
Viktima, Maria Camila Potosi, u gjet më 20 korrik buzë lumit Melendez, në zonën La Buitrera të qytetit Cali. Sipas mediave kolumbiane, El Colombiano dhe RCN Noticias, ajo kishte të paktën katër plagë me thikë, dhe foshnja ishte nxjerrë dhunshëm nga barku i saj. E reja ishte raportuar e zhdukur katër ditë më parë.
Sipas autoriteteve, Potosi është parë për herë të fundit gjallë më 16 korrik, rreth orës 16:16. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar teksa largohej me motoçikletë, së bashku me një grua ende të paidentifikuar. Mediat lokale raportuan se kjo grua ishte paraqitur në shtëpinë e familjes së partnerit të viktimës në Melendez, duke u prezantuar si shoqe e Potosit.
Më 24 korrik, familjarët e gruas që shfaqet në pamjet filmike e dorëzuan atë tek autoritetet, pasi e identifikuan në video. Ish-partneri i saj, Carlos Rincon, deklaroi se ajo nuk ishte kthyer në shtëpi natën kur Potosi u zhduk dhe nuk ishte përgjigjur telefonatave apo mesazheve. Sipas Rincon, gruaja ishte rikthyer një ditë më vonë, duke u sjellë “sikur asgjë nuk kishte ndodhur”.
Rincon pretendoi gjithashtu se ish-partnerja e tij e kishte gënjyer më parë dy herë duke i thënë se ishte shtatzënë, ndërsa në një rast kishte pretenduar se e kishte humbur fëmijën. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse ajo ka një lidhje të drejtpërdrejtë me zhdukjen e foshnjës së Potosit.
Komandanti i Policisë së Calit, Herbert Benavides, konfirmoi se gruaja është akuzuar. Hetuesit dyshojnë se në krim mund të jenë përfshirë edhe të paktën katër persona të tjerë, por deri më tani nuk janë kryer arrestime të tjera.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Calit, Alejandro Eder, ka shpallur një shpërblim prej 200 milionë pesos kolumbiane (rreth 63 mijë dollarë) për çdo informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës.
Prokuroria kolumbiane po e heton çështjen për veprat penale të zhdukjes me dhunë, torturës së rëndë, fshehjes së provave dhe vrasjes së rëndë. Deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi vendndodhjen apo gjendjen e foshnjës.
