Radomir Saiçiq, akademik dhe profesor universitar, është kandidati i Lëvizjes Studentore për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 27 dhjetor në Serbi.

Ai shërben si profesor i rregullt në Fakultetin e Kimisë të Universitetit të Beogradit dhe është anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU).

Saiçiq mbështeti publikisht protestat e udhëhequra nga studentët, të cilat, me kalimin e kohës, u shndërruan në një lëvizje të fokusuar te lufta kundër korrupsionit dhe ndryshimet sistemike. Këto protesta në Serbi nisën më 1 nëntor 2024, pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Lëvizja Studentore u bë forca kryesore politike në Serbi, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit. Radomir Saiçiq ishte i pari që njoftoi fitoren e Listës Studentore në natën e zgjedhjeve.

“Kjo fitore nuk është trofe personal i askujt, por u përket të gjithëve ne. Megjithatë, e dashur Serbi, fitorja e madhe sjell edhe një përgjegjësi të madhe”, theksoi Saiçiq më 25 tetor. Po në natën e zgjedhjeve, ai deklaroi se “asnjë forcë nuk mund të mundë një popull që ka vendosur ta marrë fatin në duart e veta”.

**Veprimtaria politike**

Saiçiq ishte një nga themeluesit e grupit të qytetarëve që kandiduan Listën Studentore në zgjedhjet parlamentare të tetorit. Si kandidat i Lëvizjes Studentore, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Serbisë. Pas konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, u emërua anëtar i Komisionit për Arsim.

Në qershor të vitit 2025, ai ishte një nga nënshkruesit e peticionit me të cilin një pjesë e anëtarëve të SANU-s kërkuan dorëheqjen e presidentit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Dorëheqja e Vuçiqit u kërkua për shkak të “shkatërrimit të themeleve demokratike, institucionale dhe shoqërore” të Serbisë.

Saiçiq, në atë kohë, në një intervistë për të përjavshmen NIN, deklaroi se akademikët nuk duhet të rrinë mënjanë kur shoqëria gjendet në një krizë të rëndë.

Pas zgjedhjeve, ai tha se Lista Studentore nuk synon konfrontime jashtë institucioneve, por angazhohet për një sistem të ri vlerash, në të cilin drejtësia do të jetë e njëjtë dhe ligjet do të vlejnë për të gjithë. Ai paralajmëroi “çlirimin” e sistemit gjyqësor dhe të mediave, si dhe hetime dhe ndjekje penale më efikase të përgjegjësve për shembjen e strehës në Novi Sad. Më tej, ai premtoi publikimin e kontratave deri më tani sekrete për projektet kryesore infrastrukturore të lidhura nga shteti, si dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

**Edukimi dhe veprimtaria akademike**

Radomir Saiçiq kreu studimet në kimi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Beogradit.

Në vitin 1987, për punimin më të mirë të magjistraturës, iu dha Çmimi i Tetorit të Qytetit të Beogradit për studentë. Ai mbrojti doktoraturën në Fakultetin e Kimisë në Beograd.

Specializimin e vazhdoi në Francë, në Institutin e Kimisë së Produkteve Natyrore, pranë Qendrës Kombëtare për Kërkime Shkencore në Gif-sur-Yvette. Fushat e tij të studimit përfshijnë kiminë organike, sintezën organike dhe kiminë mjekësore.

Që nga viti 2012, ai është profesor i rregullt në Fakultetin e Kimisë në Beograd. U zgjodh anëtar korrespondent i SANU-s po në vitin 2012, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2018.

Ai është fitues i Çmimit të Qytetit të Beogradit për arritjen më të mirë shkencore në vitin 2006 dhe është nderuar me Medaljen e Shoqatës Serbe të Kimisë për përkushtimin dhe suksesin e tij në shkencë, në vitin 1995.

Saiçiq lindi në vitin 1961 në Beograd.