Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se forcimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është një garanci jetike për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e vendit. Ajo theksoi se Kosova nuk ka asnjë synim agresiv ndaj shteteve fqinje, por fokusohet vetëm në mbrojtjen e sovranitetit të saj.
Në aktivitetet që shënonin Ditën e FSK-së, Gërvalla theksoi se forcimi i ushtrisë përfaqëson mesazhin më të fuqishëm për përmbushjen e amanetit të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.
“Sa më shumë që e forcojmë Forcën e Sigurisë, ushtrinë e Republikës së Kosovës, aq më larg qëndrojnë të gjithë ata të cilët na kërcënojnë me luftë dhe konflikt,” citoi Gërvalla. Ajo shtoi se Kosova “nuk ka ndërmend të sulmojë askënd, nuk ka synime ndaj asnjë fqinji. Duam vetëm t’i forcojmë kufijtë tanë, ta forcojmë sigurinë e qytetarëve të Republikës sonë dhe vendin tonë.”
Gërvalla përgëzoi komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe të gjithë pjesëtarët e Forcës për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në rritjen e sigurisë kombëtare.
Ajo ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i institucioneve të vendit. “Kosova, Republika e Kosovës, anëtare e NATO-s, është synimi të cilin nuk e fshehim dhe për të cilin e shohim që çdo ditë punohet këtu,” theksoi Gërvalla, duke nënvizuar rëndësinë e këtij anëtarësimi për stabilitetin e Kosovës në një kohë me konflikte dhe kërcënime të vazhdueshme.
