Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka theksuar sot në Ohër, gjatë Iniciativës Brdo-Brijuni, se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë selektiv, duke kërkuar barazi dhe trajtim të drejtë për Kosovën. Ajo nënvizoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian për të ardhmen e rajonit.

Presidentja shtoi se të gjitha shtetet duhet të përparojnë drejt anëtarësimit në BE bazuar në meritat dhe kriteret e barabarta.

Shiroka Pula kritikoi mospërfshirjen e Kosovës në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel. Ajo gjithashtu shprehu shqetësim për lejimin e interpretimit të një kënge nacionaliste në këtë forum, e cila vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Ajo e cilësoi paradoksale që në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane t’i mohohet përfaqësimi institucional Kosovës, ndërsa lejohen mesazhe që kundërshtojnë realitetin. Praktika të tilla, sipas saj, nuk i shërbejnë pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.

Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se Kosova nuk kërkon privilegje, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Ajo e quajti integrimin evropian një zgjedhje strategjike të Kosovës dhe paralajmëroi se mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të rajonit.

Në fjalën e saj, Presidentja theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në përmbyllje, Shiroka Pula bëri thirrje që Bashkimi Evropian të dëshmojë se parimet e barazisë, solidaritetit dhe respektimit të vlerave evropiane vlejnë njësoj për të gjitha vendet. Ajo theksoi se Kosovës i takon vendi i merituar në familjen evropiane.