Netanyahu i bën lëshim Trumpit: Këshilli i Paqes lejohet të hyjë në Gaza

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili mbërrin sot në Uashington për një takim të kërkuar prej muajsh me Donald Trumpin, kishte nevojë për një rezultat që mund ta prezantonte si gjest vullneti të mirë. Ky lëshim, thelbësor për të zbutur një përballje të vështirë lidhur me çështjen e Iranit, u konkretizua në Rripin e Gazës.

Dje, kabineti izraelit i sigurisë, pas muajsh bllokimi, miratoi hyrjen e Forcës së Stabilizimit dhe Këshillit të Paqes në Rripin e Gazës. Ky vendim, megjithëse kryesisht simbolik dhe i shoqëruar me kufizime të shumta, shënon një hap fillestar drejt zhbllokimit të planit të paqes të Trumpit. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, lider i të djathtës ekstreme izraelite, e kundërshtoi vendimin duke votuar kundër.

Sipas gazetës izraelite “Haaretz”, trupat e para të huaja që do të hyjnë në enklavë do të vijnë nga vende me marrëdhënie diplomatike dhe miqësore me Izraelin, si Maroku dhe Uganda. Maroku ishte ndër vendet e para arabe që nënshkruan Marrëveshjet e Abrahamit, duke normalizuar lidhjet me Izraelin.

Rreth 200 ushtarë do të operojnë në një zonë të kufizuar në Rafah-un jugor të Gazës, ku pritet të ngrihen edhe strukturat e para të strehimit për palestinezët e zhvendosur. Ata do të gëzojnë imunitet, por do të mbeten nën mbikëqyrjen izraelite.

Plani parashikon gjithashtu që anëtarët e komitetit teknik palestinez, të cilëve Izraeli u ka ndaluar hyrjen në Gaza deri më tani, më në fund do të lejohen të hyjnë në territor, por vetëm në të ashtuquajturën “zonë portokalli” – një brez toke përtej vijës së verdhë, të vendosur nën kontrollin e ushtrisë izraelite.

Plani fillestar i Trumpit parashikonte një tërheqje graduale të Izraelit nga Gaza, dislokimin e një force ndërkombëtare stabilizimi, çarmatimin e Hamasit dhe vetëqeverisjen palestineze nën Autoritetin Palestinez të Mahmoud Abbasit. Megjithatë, asnjë nga këto pika nuk u realizua dhe situata mbeti në ngërç për muaj të tërë.

Presioni i Egjiptit dhe aleatëve arabë të SHBA-së, së bashku me nevojën e Netanyahut për t’i ofruar Trumpit një gjest vullneti të mirë, duket se kanë kontribuar në zhbllokimin e pjesshëm të situatës.

Në fillim të korrikut, edhe Hamasi bëri një lëvizje simbolike, duke njoftuar dorëheqjen e qeverisë së tij lokale. Megjithatë, ajo vazhdon të refuzojë çarmatimin nëse më parë nuk ka një tërheqje totale të forcave izraelite.

Plani ambicioz i Jared Kushnerit për ta shndërruar Gazën në një “Dubai të vogël”, me kulla moderne dhe resorte luksoze, duket se është braktisur. Përveç mungesës së vullnetit politik, mungojnë edhe fondet për realizimin e tij.

Në vend të këtij plani, Izraeli do të lejojë për momentin ndërtimin e dy kampeve për palestinezët, të cilat do të emërtohen “zona të përkohshme banimi” dhe do të ndodhen në territorin nën kontrollin izraelit. Njëri prej tyre pritet të financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Siguria në këto zona pritet të garantohet nga policia palestineze e trajnuar në Egjipt. Megjithatë, numri i këtyre forcave është i kufizuar dhe Izraeli nuk lejon që personeli tjetër të largohet nga Gaza për trajnim.

Në praktikë, një numër ushtarësh nga vende mike të Izraelit do të mbikëqyrin ndërtimin e kampeve për palestinezët e zhvendosur. Këta të fundit do të lejohen të jetojnë aty vetëm pasi Izraeli të ketë verifikuar se nuk kanë lidhje me Hamasin.

Gaza mbetet ende më shumë se 60% nën kontrollin ose pushtimin izraelit. Izraeli vazhdon të zgjerojë praninë e tij në territor dhe të kontrollojë rreptësisht rrjedhën e ndihmave humanitare, materialet dhe ngarkesat që hyjnë.