Mashtrim me donacione dhe viza, ngrihet aktakuzë ndaj një gruaje në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë, përmes Departamentit të Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës me inicialet Gj.M. Ajo dyshohet se, në vazhdimësi, ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktakuza thekson se, gjatë viteve 2022-2024, e pandehura ka mashtruar një numër të madh qytetarësh. Duke u prezantuar rrejshëm si përfaqësuese e një organizate joqeveritare, ajo u kishte premtuar atyre donacione të ndryshme, si krerë gjedhësh dhe sera bujqësore, si dhe ndërmjetësim për sigurimin e termineve për viza. Të gjitha këto shërbime të rreme ishin ofruar në këmbim të pagesave.
Përmes këtyre veprimeve, Gj.M. dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën totale prej 11,650 euro (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë euro).
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, Gj.M. të shpallet fajtore për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit, bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë.
