Haxhiu priti në takim lamtumire ambasadorin suedez Westerlund
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në një takim lamtumire ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Gjatë takimit, Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka ofruar Kosovës ndër vite. Ajo falënderoi ambasadorin Westerlund për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Haxhiu shprehu mirënjohje edhe për bashkëpunimin e ngushtë të ndërtuar gjatë mandatit të diplomatit suedez në Kosovë, duke i uruar atij suksese në angazhimet e ardhshme.
Ajo theksoi bindjen se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Suedisë do të vazhdojnë të thellohen dhe të forcohen edhe në të ardhmen.
