**Tragjedi Ajrore në Argjentinë: Helikopteri rrëzohet gjatë stërvitjes së zjarrfikjes, humbin jetën shtatë persona**

Një tragjedi ajrore ka goditur Argjentinën, ku shtatë persona humbën jetën pas rrëzimit të një helikopteri. Ngjarja ndodhi gjatë një stërvitjeje për shuarjen e zjarreve pyjore, në Parkun Provincial Ischigualasto, në provincën San Juan. Autoritetet konfirmuan vdekjen e të gjithë shtatë personave që ndodheshin në bordin e mjetit fluturues.

Helikopteri u rrëzua në një zonë me terren të vështirë, duke e bërë të ndërlikuar gjetjen e tij. Vendndodhja e tij u përcaktua vetëm pas aktivizimit të sinjalit automatik të emergjencës.

Ministria argjentinase e Sigurisë njoftoi se ekipet e shpëtimit u mobilizuan menjëherë drejt vendngjarjes për operacione kërkim-shpëtimi. Kontakti i fundit me helikopterin u regjistrua në orën 10:26 sipas kohës lokale, pikërisht përmes sinjalit të emergjencës. Më pas, një helikopter i dytë arriti në zonë, duke identifikuar mbetjet e mjetit të rrëzuar dhe duke konfirmuar fatkeqësinë.

Helikopteri ishte pjesë e një misioni stërvitor për përballimin e zjarreve pyjore. Në bord ndodheshin figura kyçe të shërbimeve emergjente të provincës: shefi i zjarrfikësve të San Juanit dhe zëvendësi i tij, drejtori i Mbrojtjes Civile provinciale, zëvendësshefi i Policisë së San Juanit, dy zjarrfikës të tjerë, si dhe piloti.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.