**Tragjedi në Brazil: Erërat e forta marrin 5 jetë, shkaktojnë dëme të mëdha materiale**
Pesë persona kanë humbur jetën dhe dëme të shumta materiale janë shkaktuar nga erërat e forta, me shpejtësi deri në 124 km/orë, të cilat prekën zona të gjera të Brazilit.
Dy nga viktimat gjetën vdekjen në lagjen Santa Teresa të Rio de Janeiros, pasi u shtypën nga një mur i shembur prej forcës së erës. Një kamera sigurie ka fiksuar momentin tragjik të ngjarjes.
Dy persona të tjerë ndërruan jetë pasi u goditën nga pemët e rrëzuara, njëri teksa ecte në rrugë dhe tjetri ndodhej brenda një makine. Viktima e pestë ishte një peshkatar, varka e të cilit u përmbys nga dallgët e krijuara prej erërave të fuqishme.
Pamjet filmike, të shpërndara gjerësisht, tregojnë materiale ndërtimi që shkulen nga çatitë dhe bien në rrugë, si dhe skela pune që rrëzohen me forcë. Skena paniku janë regjistruar gjithashtu në plazhet e mbushura me njerëz, të cilët e kishin të vështirë të qëndronin në këmbë për shkak të forcës së erës.
Sipas meteorologëve, këto fenomene ekstreme lidhen me kalimin e një fronti të ftohtë në Brazilin qendror dhe jugor. Kur ky sistem u përball me një masë ajri të ngrohtë dhe të lagësht, u krijuan kushte ideale për shfaqjen e stuhive, ndryshimeve të theksuara të temperaturës dhe shpërthimeve të fuqishme të erës.
