Artmotion rikthehet në Sunny Hill Festival për edicionin e këtij viti, duke theksuar sërish bashkëpunimin e suksesshëm. Ky edicion, i paralajmëruar si një ndër më të mëdhenjtë deri më sot, sjell në Prishtinë emra të njohur botërorë si Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, PAWSA, Adam Port & Rampa (Keinemusik), Dhurata Dora dhe shumë artistë të tjerë, duke e kthyer qytetin në epiqendrën e muzikës dhe kulturës urbane.

Në këtë atmosferë elektrizuese, Artmotion do të ketë një prezencë edhe më të gjerë si partner zyrtar. Koncepti i tyre për këtë vit, “Sporti si Kulturë Urbane”, synon të ndërthurë energjinë e sportit, muzikës, teknologjisë dhe krijimtarisë në një hapësirë unike brenda festivalit.

Një nga pikat kryesore do të jetë “Artmotion Stage”, një skenë dykatëshe ku do të zhvillohen vazhdimisht aktivitete, takime me mysafirë specialë dhe përmbajtje ekskluzive, duke ofruar një përvojë dinamike për të gjithë vizitorët.

Në zonën e relaksit (Chill Zone), Artmotion do të risjellë një nga instalacionet më të pëlqyera të festivalit – topin ikonik. Këtë herë, topi do të vijë me një dizajn krejtësisht të ri, modern dhe urban, duke shërbyer si një pikë perfekte për fotografi unike, krijimin e përmbajtjeve për rrjetet sociale dhe relaksim në “lazy bags” në një ambient të dedikuar socializimit dhe përjetimeve të paharrueshme.

Për adhuruesit e botës së showbizit dhe argëtimit, Artmotion do të transmetojë emisione live drejtpërdrejt nga zemra e festivalit. Këto transmetime do të përfshijnë intervista ekskluzive, të ftuar VIP, momente spontane dhe gjithë atmosferën unike që e bën Sunny Hill Festival një nga ngjarjet më të veçanta në rajon.