**Aksion në Ujman: Policia mbështet “Ibër-Lepencin” në lirimin e pronës së uzurpuar**
Punonjës të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të mbështetur nga Policia e Kosovës, ndërmorën të enjten në mëngjes një aksion në zonën e Ujmanit. Gjatë këtij aksioni, moteli “Jezero” u rrethua me shirit sigurie.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se Policia po mbështet këtë aksion, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Elshani bëri të ditur se Policia po i ofron ndihmë ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë këtij procesi.
Aksioni u ndërmor pasi skadoi afati i vendosur nga “Ibër-Lepenci” për lirimin e pronës nga shfrytëzuesit e objektit, pronë të cilën ndërmarrja e konsideron të uzurpuar.
Në zonën e Ujmanit u panë të angazhuar punonjës të “Ibër-Lepencit” dhe efektivë policorë, ndërsa objekti ishte rrethuar me shirit sigurie.
Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” kishte njoftuar më parë për kërkesën e saj për lirimin e pronës, duke argumentuar se ajo shfrytëzohej pa autorizim.
