Arabia Saudite në udhëkryq mes konfliktit SHBA-Iran

Arabia Saudite po përballet me një dilemë të rëndë. Që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën veprime kundër Iranit më 28 shkurt, sauditët janë përpjekur përgjithësisht të ruajnë neutralitetin, raporton BBC.

Por tani, pasi janë sulmuar nga tri drejtime, durimi i tyre ka marrë fund. Këtë javë, ata ndërmorën sulme të përbashkëta me SHBA-në kundër milicive pro-iraniane në Irak, të cilat dyshohet se kanë lëshuar dronë drejt Mbretërisë.

Dilema për Arabinë Saudite tani qëndron nëse duhet të vazhdojë me kundërpërgjigje parandaluese, apo të kërkojë de-përshkallëzimin e situatës, ndoshta përmes marrëveshjeve financiare me disa prej kundërshtarëve të saj.

**Kush po sulmon dhe pse?**

Në thelb, konflikti pesëmujor që ka përfshirë Gjirin dhe pjesë të tjera të Lindjes së Mesme ka dy palë kryesore:

Në njërën anë janë Irani dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Aleatë të tyre janë Huthët në Jemen, një grup fisnor që mori nën kontroll pjesën më të madhe të vendit në vitin 2014.

Ndërkohë, Irani mbështet edhe Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak, një grup paraushtarak që dyshohet se ka kryer 30 sulme me dronë ndaj Arabisë Saudite dhe që tani është sulmuar si kundërpërgjigje.

Hezbollahu në Liban, megjithëse një forcë ende e fuqishme, aktualisht po qëndron në prapavijë.