Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet për dhunë ndaj fëmijës dyvjeçar

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një edukatore 32-vjeçare, e cila punonte në një kopsht privat. Ajo dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar brenda ambienteve të kopshtit.

Arrestimi i shtetases me iniciale B. H. u krye në flagrancë nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, e dyshuara akuzohet se ka dhunuar fizikisht të miturin, duke i shkaktuar dëmtime.

Materialet procedurale për këtë rast i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.