**Armand Duka pas suksesit të Shqipërisë: “Sonte duhet vetëm të festojmë!”**
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka reaguar pas fitores së Kombëtares Shqiptare, duke përgëzuar futbollistët dhe stafin teknik për paraqitjet e shkëlqyera gjatë edicionit të Ligës së Kombeve.
Nëpërmjet një mesazhi, Duka e cilësoi këtë edicion si fantastik, duke vlerësuar karakterin, përkushtimin dhe vendosmërinë e lojtarëve kuqezi në çdo ndeshje. Ai theksoi gjithashtu punën e stafit teknik, e cila, sipas tij, ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e paraqitjeve dhe rezultateve të Kombëtares.
Duka përmendi gjithashtu humbjen në Helsinki, të cilën e konsideroi të pamerituar, ndërsa theksoi se nga kjo skuadër priten suksese të mëtejshme në të ardhmen.
Ai u ndal edhe te arritjet kryesore të Shqipërisë në këtë edicion, duke veçuar vendin e parë në grup, sigurimin e kalimit në fazën tjetër dhe ngjitjen në Ligën B të UEFA Nations League.
“Një rekord i ri për Kombëtaren tonë: 15 pikë të grumbulluara dhe plot 12 gola të shënuar në një edicion të Ligës së Kombeve!”, shkroi Duka.
Në përfundim të mesazhit, presidenti i FSHF-së përcolli një urim për të gjithë shqiptarët, duke theksuar: “Sonte duhet vetëm të festojmë!”
