Delegati i LDK-së, Fatmir Rexhepi, mbështet koalicionin LDK-VV: “Është në interes të vendit”

Delegati i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri Fatmir Rexhepi ka theksuar rëndësinë e krijimit të një koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

I pyetur për mundësinë e një bashkëpunimi mes dy partive, ai tha se një marrëveshje e tillë do të ishte në interes të shtetit.

“Si delegat, kam mendimin tim. Është në interes të vendit t’i jepet zgjidhje situatës. Është mirë që Vetëvendosja dhe LDK-ja të gjejnë një kompromis, si për postin e presidentit, ashtu edhe për formimin e qeverisë, për të stabilizuar gjithë situatën politike,” deklaroi Rexhepi.

Në pyetjen nëse të dy subjektet i zotërojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, ai u përgjigj shkurt:

“Po, nëse ka vullnet, ato janë të pranishme,” theksoi ai.

Rexhepi shtoi se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe se qytetarët presin zgjidhje konkrete nga klasa politike.

“Mendoj se situata kërkon rregullim, pasi duhet të krijohet një unitet veprimesh, i cili do t’u jepte zgjidhje të drejtë të gjitha çështjeve të Kosovës. I gjithë populli pret tashmë, nuk ka nevojë për testime të mëtejshme,” përfundoi ai.