Trump njofton marrëveshje për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe tërheqjen izraelite
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, si dhe për tërheqjen graduale të trupave izraelite nga territori.
Sipas Trump, marrëveshja u arrit nga “Bordi i Paqes” i administratës së tij dhe konsiderohet një “hap kritik drejt qeverisjes së Gazës nga një qeveri e re palestineze”.
Një dokument katërfaqësh, i siguruar nga BBC, detajon një plan me faza, që përfshin çarmatimin e Hamasit dhe, paralelisht, tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza. Zyrtarë amerikanë theksuan se çdo hap i këtij procesi do të verifikohet.
Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se grupi e ka pranuar planin, megjithëse deri më tani nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga organizata.
Një zyrtar amerikan shtoi se Trump “do të ishte shumë i zhgënjyer” nëse Izraeli nuk e zbaton pjesën e marrëveshjes që parashikon tërheqjen e trupave nga Gaza.
Megjithatë, disa çështje kyçe mbeten ende të paqarta. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet izraelite dhe nuk dihet nëse Izraeli ishte pjesë e negociatave që çuan në këtë marrëveshje. Gjithashtu, nuk janë bërë publike detajet se si do të realizohej tërheqja e trupave izraelite dhe nëse ajo do të përfshinte edhe zonën tampon të njohur si “Yellow Line”.
Ende nuk është sqaruar as kush do të marrë në administrim armët që do të dorëzoheshin nga Hamasi dhe si do të funksionojë mekanizmi i verifikimit i propozuar nga Shtetet e Bashkuara.
