Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur të premten seancën fillestare të shqyrtimit ndaj 21 shtetasve serbë, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Asnjëri prej të akuzuarve nuk u paraqit në gjykatë. Seanca, e drejtuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani, shënon nisjen zyrtare të procedurave gjyqësore në këtë rast.

Të akuzuarit në këtë rast janë: Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçieviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiçeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jelliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të gjithë ata ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Procesi gjyqësor po zhvillohet në mungesë të tyre, pasi, siç theksoi prokuroria, të akuzuarit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë që nga momenti i ngritjes së aktakuzës. Gjykata kishte bërë më herët thirrje publike për paraqitjen dhe dorëzimin e tyre para organeve kompetente të Republikës së Kosovës.